Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Kombëtarja jonë mposhtet nga Ishujt Faroe në ndeshjen shumë të fortë

Një ndeshje shumë të fortë luajti Kombëtarja e Kosovës në hendboll të enjten mbrëma në Prishtinë.
Pas një loje të barabartë, Kombëtarja jonë pësoi 25:23 nga Ishujt Faroe.
Me fitore Ishujt Faroe u kualifikuan në Evropian. Ndërkohë gjasat e Kombëtares sonë janë zbehur shumë.
Për kualifikim, të dielën Kombëtares sonë i duhet fitorja në Holandë dhe po ashtu që Ukraina të mposhtet nga Ishujt Faroe.
Ndeshja ishte e barabartë nga fillimi deri në fund. Pas pjesës së parë Kombëtarja jonë ishte një gol para, 13:12. Në mesin e pjesës së dytë pati një rënie në lojën e Kombëtares sonë, por që u kalua shpejtë.
Ndërkohë në fund lojtarët cilësorë të Ishujve Faroe, që luajnë në nivelin më të lartë evropianë, bënë dallimin dhe siguruan fitoren.
Portieri Haris Berisha shkëlqeu në këtë ndeshje me plot 14 pritje.
Më efikasi ishte Drenit Tahirukaj me 8 gola. Pesë i shënoi Egzon Gjuka e katër Luigj Quni.
Ndonëse pësuan, djemtë tanë meritojnë respekt për angazhimin maksimal dhe luftën e madhe për çdo top.
Pas pesë xhirove, Ishujt Faroe janë në vendin e parë në Grupin 6 të kualifikimeve për Euro 2026 me 7 pikë. Gjashtë i ka Holanda, katër Ukraina e tri Kombëtarja jonë.