Në Pejë është mbajtur aktiviteti i radhës për nder të 1 Qershorit, ditës së fëmijëve.
Të hënën në Institucionin Parashkollor “Pëllumbat e Paqes” qindra fëmijë u njoftuan me gjëra bazike të lojës së bukur të hendbollit. Këtë aktivitet e kanë organizuar Federata e Sportit Shkollor në bashkëpunim me federatën tonë dhe federatat tjera sportive.
Me fëmijë punuan Faruk Shala, kryetar i Shoqatës së Trajnerëve të Hendbollit të Kosovës, trajnerja e kategorive të reja, Tainara Luna Goncalves, hendbollistja me përvojë, Dijana Ujkiq dhe lojtarët e Kombëtares U19 që do ta përfaqësojnë vendin tonë në Kampionatin Botëror në Egjipt: Olsi Mulaj, Amar Muqolli, Olt Kabashi e Edonis Hajra.
Ishte një tjetër ditë e shkëlqyer për fëmijët dhe gjithë pjesëmarrësit. Aktiviteti është vlerësuar shumë i suksesshëm.
Ky aktivitet i veçantë u organizua në kuadër të programit “Sporti në Shkolla” që mundësohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.