Federata e Hendbollit e Kosovës e ka vazhduar bashkëpunimin e suksesshëm me NLB Bankën.
Marrëveshja e re e sponsorizimit, e vlefshme për vitin 2025, është nënshkruar të martën në hapësirën e federatës sonë.
Marrëveshja është nënshkruar nga presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci dhe Gem Maloku, kryetar i Bordit Udhëheqës të NLB Bankës.
Presidenti Kolgeci dhe Maloku janë shprehur të kënaqur me vazhdimin e bashkëpunimit. Bashkëpunimi i deritashëm është vlerësuar shumë i suksesshëm, ndërsa është arritur pajtueshmëri që bashkëpunimi FHK – NLB Banka të thellohet edhe më shumë.
Është ky viti i tretë që FHK-ja dhe NLB Banka nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi, në bazë të ligjit për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.
Me marrëveshjen e re, NLB Banka do të jetë sponsore e artë e Kombëtareve A të Kosovës. Po ashtu do të përkrahë edhe Kampin Veror, që është një organizim tradicional dhe shumë i rëndësishëm i Federatës sonë. Këtë vit numri i kampistëve pritet të rritet ndjeshëm.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së re, drejtuesit e NLB Bankës kanë uruar presidentin Kolgeci me bashkëpunëtorë për sukseset e arritura së fundi, duke uruar suksese edhe më të mëdha në të ardhmen.