Të dielën në Banjë të Pejës kanë nisur përgatitjet e Kombëtares U17 të Kosovës në hendboll.
Përgatitjet kanë filluar një ditë pasi u bë përzgjedhja e 23 lojtareve që konkurrojnë për vend në ekipin final kombëtar.
Stërvitjet zhvillohen në Banjë nën urdhrat e kryetrajnerit të kësaj grupmoshe, Verim Zherka, dhe shtabit teknik.
Në mesin e vajzave është parë një interesim shumë i madh për të shfrytëzuar maksimalisht këtë grumbullim dhe për të rritur gjasat për përzgjedhje në ekipin që do ta prezantojë Kosovën në Kampionatin Evropian.
Evropiani i Divizionit B mbahet në vendin tonë, përkatësisht në Prishtinë, prej 4 deri më 10 gusht.
Deri në fillim të Evropianit, hendbollistet e Kosovës U17 do të kalojnë shumë ditë të grumbulluara së bashku.