Kombëtarja U19 e Kosovës në hendboll e ka nisur me fitore bindëse Kampionatin Evropian në Gjeorgji.
Të shtunën pasdite në Telavi, vajzat tona dominuan plotësisht ndaj Bullgarisë U19. Në fund fituan me rezultat 31:21. Pas pjesës së parë rezultati ishte 15:10.
Paraqitja e Kombëtares sonë ishte dukshëm më e mirë se e bullgareve të reja. Cilësia ishte në anën tonë dhe kjo bëri që fitorja në fund të jetë e thellë. Çdo gjë ka funksionuar në lojën e Kombëtares sonë, ndonëse hendbollistet ishin të lodhura nga udhëtimi i gjatë dhe pengesat e papritura rrugës.
Martina Bibaj ishte më efikasja te Kombëtarja e Kosovës me shtatë gola. Ajo u shpall edhe më e mira e ndeshjes. Kapitenia Sara Gjergjaj i shënoi gjashtë gola nga gjashtë tentime. Nga pesë gola i shënuan Arona Krasniqi e Diona Dresh. Nga dy i kishin Aulona Maloku e Orgesa Gola, ndërsa nga një e shënuan Elona Zeneli, Klaudia Ukaj, Laura Maqedonci e Arjeta Imeraj.
Me shumë pritje është dalluar portierja Albina Pllana, plot 12.
Selektori Agron Shabani ua ka dhënë rastin të gjitha lojtareve dhe të gjitha kanë kontribuar në fitoren e thellë.
Të dielën është ndeshja e dytë e Kombëtares sonë në Evropianin (B) në Gjeorgji. Përballë do të jetë Ukraina.