Sot është bërë një vit prej se ndërroi jetë Izet Gjinovci, personaliteti unik dhe i papërsëritshëm i hendbollit dhe sportit kosovar.
Gjinovci ndërroi jetë më 5 gusht 2024, në moshën 63-vjeçare. Ndonëse shëndeti e sfidoi, kjo nuk e ndali që deri në frymën e fundit t’i kryej me përgjegjësi detyrat dhe obligimet si sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Pozitën e sekretarit të përgjithshëm e mbajti nga viti 2002, ndërsa gjithë jetën ia kushtoi hendbollit. Fillimisht si lojtar, e më pas si kontribues në pavarësimin e sportit të Kosovës, si drejtues klubi e federate.
Ishte pjesë shumë e rëndësishme në proceset e ndërkombëtarizimit të hendbollit kosovar. Falë mendjemprehtësisë dhe përkushtimit të të ndjerit Gjinovci dhe akterëve tjerë, federata jonë është pranuar në asociacionet ndërkombëtare shumë më herët se federatat tjera të sporteve ekipore të vendit, si me të drejta të kufizuara ashtu edhe me të drejta të plota.
Kontributi i të ndjerit Gjinovci ishte shumë dimensional. Ka udhëhequr e kontribuar në procese të ndryshme të zhvillimit të brendshëm dhe të promovimit ndërkombëtar të hendbollit tonë.
Izet Gjinovci jetoi për hendbollin e me hendbollin.
Kontributi i tij i madh do të përkujtohet e çmohet gjithnjë në komunitetin tonë.
Në nderim të personalitetit të Izet Gjinovcit, federata jonë ka vendosur që Superkupa e Kosovës të quhet “Superkupa Izet Gjinovci”.
Edin Kolgeci,
President i Federatës së Hendbollit të Kosovës