Në Kajro, në kuadër të Kampionatit Botëror U19, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, Hassan Moustafa priti në takim delegacionin e drejtuesve të Federatës së Hendbollit tē Kosovës, presidentin Edin Kolgeci dhe anëtarin e bordit dhe ish-presidentin, Eugen Saraçini.
Presidenti Moustafa e ka uruar Kolgecin për postin e presidentit të FHK-së, duke konfirmuar se bashkëpunimi mes dy federatave vetëm sa do të forcohet.
Miku i Kosovës, presidenti Moustafa, ka folur me respekt të veçantë për hendbollin kosovar dhe zhvillimin e tij. Ai ka uruar Kolgecin edhe për paraqitjen e Kosovës U19 në Botërorin në Egjipt.
Presidenti Kolgeci ka falënderuar Hassan Moustafan për përkrahjen e vazhdueshme ndaj hendbollit kosovar, ndërsa ka prezantuar planet dhe projektet për zhvillim të mëtejmë të hendbollit në vendin tonë.
Është arritur pajtueshmëri për takime të tjera për realizim të projekteve të rëndësishme për hendbollin kosovar.