Suad Pajaziti është njëri prej lojtarëve që po shquhen me paraqitje në Kombëtaren U19 të Kosovës në Kampionatin Botëror në Egjipt.
Në fitoren ndaj Marokut, të shtunën, Pajaziti u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes. Pajaziti luan në pozitën e alos së majtë, por po mbulon edhe pozita të tjera, sipas nevojës.
Ai bën karrierë në Gjermani dhe për herë të parë po paraqitet për Kombëtaren tonë.
“Jam shumë krenar me paraqitjen e ekipit tonë dhe që fituam. Dua të falënderoj të gjithë përgjegjësit që më mundësuan të luaj për Kosovën. Është nder i madh për mua. Shumë falënderime për federatën dhe për trajnerët për besimin e tyre. Jam shumë i lumtur me paraqitjet tona dhe pres të tjera fitore në vazhdim. Besoj se paraqitjet do të jenë gjithnjë e më të mira”, ka thënë Pajaziti.