Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Tjetër sukses, Federatës sonë i besohet organizimi i Kampionatit Mesdhetar

Pas paraqitjes në Kampionatin Botëror U19 në Egjipt dhe organizimit të Kampionatit Evropian U17 për hendbolliste në Prishtinë, Federata e Hendbollit e Kosovës ka arritur një tjetër sukses në rrafshin ndërkombëtar.

Federatës sonë i është besuar organizimi i Kampionatit të Hapur Mesdhetar për hendbolliste të reja. Është kjo ngjarje shumë cilësore, ku paraqiten ekipet kombëtare të disa prej vendeve me hendbollin më të zhvilluar në Evropë.

Pritet pjesëmarrja e deri në 14 ekipeve kombëtare.

Kampionati i Hapur Mesdhetar për të Reja do të mbahet prej 8 deri më 15 shkurt të vitit të ardhshëm në Prishtinë. Të drejtë pjesëmarrjeje do të kenë hendbollistet e lindura në vitin 2010 dhe më të reja.

Kampionati Mesdhetar në Prishtinë do të jetë i 19-ti me radhë për lojtare të reja. Kampionati i kaluar u mbajt në Podgoricë në shkurt të këtij viti. Morën pjesë plot 13 ekipe kombëtare. Pos Kosovës e Malit të Zi morën pjesë edhe Spanja, Rumania, Sllovakia, Kroacia, Sllovenia, Italia, Turqia e disa kombëtare të tjera.

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci, e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm organizimin e Kampionatit Mesdhetar.

“Pas bisedimeve gjatë këtyre dy muajve dhe kandidaturës për organizim, u zgjodhëm për organizmin e këtij kampionati. Kjo është arritje shumë e madhe për Kosovën dhe për hendbollin kosovar. Është sukses historik sepse për herë të parë një federatë sportive në Kosovë merr organizimin e një Kampionati Mesdhetar. Ky aktivitet shërben si uverturë dhe provë gjenerale para Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’, duke treguar se vendi ka kapacitet organizativ për ngjarje madhore sportive. Për hendbollin e vajzave në Kosovë është një mundësi për të ngritur nivelin e garave, për të marrë përvojë ndërkombëtare dhe për të afirmuar talentet e reja. Po ashtu do të jetë rast për të promovuar Prishtinën dhe Kosovën si qendër sportive, të kulturës dhe mikëpritjes”, ka thënë Kolgeci.

Kampionatin Mesdhetar e organizon Konfederata Mesdhetare e Hendbollit, që ka shtrirje në regjionin e mesdheut.