Egzon Gjuka e udhëhoqi si kapiten Rahovecin drejt triumfit në Superkupën e Kosovës në hendboll.
Të shtunën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, Rahoveci e fitoi ndeshjen dramatike ndaj Kastriotit. Ndeshja u vendos në aksionet e fundit, ndërsa “vreshtarët” fituan 31:30.
Afro 2500 shikues e përcollën nga afër spektaklin e hendbollit.
“Në verë klubi i kishte disa probleme rreth organizimit. Nga klubi u larguan disa lojtarë, por pastaj klubi u konsolidua dhe gjërat vazhduan në rregull. Erdhën lojtarë të rinj në skuadër. Stërvitjet filluan me vonesë dhe kjo është arsyeja pse mbrëmë i kishim disa probleme të lidhura me aspektin fizik, por edhe me komponimin e skuadrës. E rëndësishme është fitimi i Superkupës, ndërsa tani synimi kryesor dhe fokusi është te garat evropiane. Luajmë me skuadër nga Luksemburgu dhe shpresoj në paraqitje pozitive dhe kalim në raundin tjetër”, ka thënë Gjuka.
Ai është i bindur se Rahoveci në kampionat do të paraqitet dukshëm më mirë se në ndeshjen për Superkupë.
“Gara për titull do të jetë e fortë. Por prapë besoj se Rahoveci do ta thotë fjalën kryesore në fund. Ndeshja e mbrëmshme nuk është fytyra e vërtetë e kësaj skuadre. Me kalimin e kohës do të gjejmë ritmin dhe besoj se do të jemi skuadër dominuese edhe në këtë edicion”, ka theksuar hendbollisti pejan.