Skuadra gjakovare, Vëllaznimi, e ka fituar ndeshjen dramatike me Trepçën e Mitrovicës. Ndeshja e së shtunës mbrëma në “Shani Nushi” u vendos në aksionin e fundit. Vëllaznimi fitoi 24:23 me golin e sekondës së fundit.
Golin e fitores së rëndësishme e shënoi Ardi Halili.
Ndeshja e xhiros së dytë ishte e fortë dhe interesante. Në pjesën e parë mitrovicasit krijuan epërsi prej tri golash, 12:9. Ndërkohë ishin në epërsi në shumicën e kohës në pjesën e dytë, por vendasit nuk u dorëzuan dhe në fund shënuan fitore të madhe.
Çlirim Rama i shënoi tetë gola për Vëllaznimin, ndërsa Halili i kishte shtatë.
Te Trepça tetë gola i shënoi Butrint Miftari, kurse nga pesë i kishin Sali Maxhera e Matheus Henrique.
Vëllaznimi e shënoi fitoren e dytë, kurse Trepça e pësoi humbjen e dytë.
Ndeshje interesante u zhvillua edhe në Podujevë, mes Llapit e Vushtrrisë.
Llapi fitoi me rezultat 41:38. Blerton Hasani i shënoi 8 gola për Llapin, kurse nga 7 i realizuan Mërgim Ademi e Artir Muçiqi.
Amir Fazliu i kishte 8 gola te Vushtrri. Egzon Ademi e Bleon Gela shënuan nga shtatë.
Kampioni në fuqi, Rahoveci, fitoi pa telashe ndaj Prishtinës në kryeqytet.
“Vreshtarët” fituan me rezultatin 55:33. Mali Luzha i shënoi 10 gola për Rahovecin, derisa nëntë i kishte Arbios Mushkolaj.
Te Prishtina më efikasi ishte Enis Kuleta me 11 gola. Me shtatë gola ndeshjen e mbylli Fatlum Batatina.
Derbi i xhiros së dytë zhvillohet të dielën nga ora 19:00. Në palestrën “Karagaçi” në Pejë takohen Besa Famgasi e Kastrioti.