Me ndeshjen mes Vushtrrisë e Prishtinës hapet xhiroja e tretë në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Kjo ndeshje zhvillohet të premten nga ora 20:00 në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë. Të dy skuadrat i kërkojnë pikët e para të këtij edicioni. Vushtrria në xhiron e parë pësoi nga Rahoveci e në të dytën nga Llapi.
Ndërkohë Prishtina humbi fillimisht nga Kastrioti e më pas nga Rahoveci.
Derbi i madh i xhiros së tretë luhet të shtunën nga ora 19:00 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec. Takohen kampioni, Rahoveci, dhe skuadra pejane, Besa Famgas. Dy skuadrat kanë fituar ndeshjet e deritashme, ndërsa pritet lojë e fortë dhe interesante deri në fund.
“Vreshtarët” llogarisin në dy pikë të reja, por pejanët pas fitores ndaj Kastriotit do të kërkojnë pikët edhe në Rahovec.
Të shtunën është edhe ndeshja mes Trepçës dhe Llapit, që zhvillohet nga ora 17:30 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
“Xehetarët” janë në kërkim të fitores së parë, ndërsa llapjanët e kërkojnë fitoren e dytë.
Xhiroja mbyllet me ndeshjen e së dielës mes Kastriotit dhe Vëllaznimit. Kjo ndeshje luhet nga ora 19:00 në palestrën “Bill Clinton”.