Rahoveci e Besa Famgasi kanë luajtur ndeshje të fortë të shtunën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma”.
Derbin e xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në hendboll e fituan “vreshtarët” me rezultatin 31:28.
Vendasit në pjesën e parë ishin në epërsi prej dy-tri golash, ndërsa pas 30 minutave rezultati ishte 15:14.
Në minutën e 54-t Besa ia doli ta barazojë rezultatin në 26:26. Por Rahoveci sërish u shkëput 30:26 për ta mbyllur ndeshjen 31:28.
Arbios Mushkolaj udhëhoqi Rahovecin me 11 gola. Egzon Gjuka i shënoi shtatë, kurse Granit Kadiri pesë.
Ahmed Zayan Amr Ali i shënoi nëntë gola për Besa Famgasin. Pesë i kishte Deniz Terziqi.
Rahoveci i ka tri fitore, kurse Besa e pësoi humbjen e parë.
Të shtunën u luajt edhe ndeshja mes Trepçës e Llapit.
Mitrovicasit fituan 33:29 për pikët e para të edicionit.
Sali Maxhera udhëhoqi Trepçën me nëntë gola. Te Llapi më efikasi ishte Blerton Hasani me shtatë gola.