Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Ferizaj e fiton me një gol dallim derbin me Prishtinën

Ferizaj e Prishtina kanë zhvilluar ndeshje të fortë të shtunën në Shtime.

Ndeshja i takoi xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në hendboll, ndërsa u fitua nga ferizajaset me vetëm një gol dallim, 33:32.

Ferizaj e nisi më mirë ndeshjen dhe krijoi epërsi 5:1. Më pas mbajti epërsi deri në fund të pjesës së parë.

Prishtina megjithatë nuk u dorëzua. Barazoi në 19:19 në minutën e 37-të e 20:20 në minutën e 38-të. Barazime të tjera u regjistruan, 26:26, 27:27 e 28:28.

Sevdanur Ozkan e Agnesa Hysa shënuan gola për epërsinë 30:28 të ferizajaseve. Në 30:29 rezultatin e ngushtoi Eduarta Kurteshi, kurse më pas shënuan Ozkan e Shkurte Mehmeti për 32:29.

Angelika Luberecka realizoi golin e radhës për Prishtinën, për 32:30. Lorena Matarova e Ferizajt realizoi për 33:30, ndërsa Burneta Rama e Luberecka shënuan për 33:32. Në fund Prishtina kishte rast për ta barazuar rezultatin, por qëlloi shtyllën.

Ozkan shkëlqeu te Ferizaj me plot 17 gola. Pesë i shënoi Shkurte Mehmeti e katër Agnesa Hysa.

Te Prishtina u dallua Burneta Rama me 11 gola. 10 i shtoi Celine Tolno Sia, pesë i kishte Eduarta Kurteshi e katër Angelika Luberecka.

Ferizaj e shënoi fitoren e tretë dhe udhëheqë në tabelë me gjashtë pikë. Prishtina mbetet pa pikë.

Të shtunën u luajt edhe ndeshja mes Shqiponjës dhe Kastriotit. Skuadra gjakovare fitoi me rezultat 51:28. Alma Nivokazi i shënoi 13 gola për Shqiponjën. 11 i kishte Ana Caroli Gonçalves, kurse nëntë Helen Da Silva Souza.

Për Kastriotin dhjetë gola i realizoi Nikelina Franca. Verona Muhaxheri e Eliona Maksuti i shënuan nga gjashtë.

Shqiponja ka dy fitore nga dy ndeshje. Kastrioti i ka dy humbje.

Lajme tjera