Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Kombëtarja grumbullohet të dielën, javën tjetër ndeshjet me superfuqitë e hendbollit

Hendbollistet e Kombëtares së Kosovës grumbullohen të dielën (nesër) në Prishtinë. Në mbrëmje e zhvillojnë stërvitjen e parë në prag të ndeshjeve shumë të vështira të fazës së dytë kualifikuese për Euro 2026.

Kosova është në Grupin 1 së bashku me Francën, Kroacinë dhe Finlandën. Të mërkurën në Nimes është ndeshja Francë – Kosovë. Të dielën e javës së ardhshme, më 19 tetor, është ndeshja Kosovë – Kroaci, që zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Franca është Kombëtarja më cilësore që paraqitet në kualifikime. Është superfuqi e hendbollit, përkatësisht nënkampione olimpike nga “Parisi 2024”, kampione në fuqi e botës dhe gjysmëfinaliste e Evropianit të fundit.

Kroacia është po ashtu Kombëtare cilësore dhe thuajse më e forta e vazos së dytë për short.

Kombëtarja jonë do të synojë të ofrojë maksimumin për prezantim sa më të dinjitetshëm. Selektori Agron Shabani përballet me mungesa të shumta. Shumë prej lojtareve që kanë bartur barrën kryesore në vitet e fundit mungojnë.

Kapitenia Leonora Demaj është e lënduar. Motrat Marigona dhe Arlinda Hajdari i kanë dhënë fund karrierës si lojtare.

Për shkak të obligimeve personale mungon Mirela Gjikokaj. Të lënduara janë Albina Rugova, Dafina Mustafa e Sara Gjergjaj, ndërsa mungon edhe Fitore Aliu.

Në Kombëtare janë ftuar lojtare të reja, që shpresohet ta shfrytëzojnë maksimalisht mundësinë e ofruar.

Ndeshjet me Francën dhe Kroacinë do t’i shërbejnë shumë gjeneratës së ardhshme të Kombëtares sonë.

Udhëtimi për në Francë bëhet të martën.

Lajme tjera