Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Atmosferë shumë e mirë në Kombëtaren e Kosovës

Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka zhvilluar të hënën dy seancat e radhës stërvitore në prag të ndeshjeve me Britaninë e Madhe.

Stërvitjet janë zhvilluar në palestrën në Lipjan, ndërsa shtabi teknik është shumë i kënaqur me punën e bërë dhe atmosferën brenda grupit.

Grupi i lojtarëve është kompletuar të hënën paradite, me ardhjen e Haris Berishës, Drilon e Drenit Tahirukajt dhe Suad Pajazitit. Këta katër lojtarë kishin ndeshje me skuadrat e tyre të dielën dhe për këtë arsye janë grumbulluar me Kombëtare të hënën.

Pajaziti, që shkëlqeu në Botërorin U19 në Egjipt, është ftuar për herë të parë në Kombëtaren A. Ai është mirënjohës për rastin e fituar dhe po jep më të mirën për të shpërblyer besimin.

Përzgjedhësi Jesper Ostlund dhe asistenti i tij, Jasmin Zhuta, kanë përcjellë te lojtarët idetë e tyre se si do të luajë Kombëtarja në ndeshjet me Britaninë e Madhe e po ashtu në sfidat tjera të ardhshme. Stërvitja ishte e fokusuar në aspekte taktike të lojës në mbrojtje e në sulm.

Ndeshja e parë me Britaninë e Madhe është të mërkurën nga ora 18:00 në Derby të Anglisë. Ndeshja e dytë është të dielën nga ora 17:15 në Prishtinë. Kombëtarja më e mirë pas dy ndeshjeve avancon në raundin e dytë kualifikues për Botërorin 2027.

Udhëtimi i Kombëtares për në Derby është të martën. Në arenën ku zhvillohet ndeshja, Kombëtarja do të ketë një stërvitje në orët e mbrëmjes.

Lajme tjera