Kombëtarja e Kosovës në hendboll e ka fituar ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues për Kampionatin Botëror 2027.
Të mërkurën në Derby, Kosova fitoi ndaj Britanisë së Madhe me rezultatin 32:26.
Ndeshja nuk nisi mirë për Kombëtaren tonë dhe vendasit krijuan epërsi 5:1. Por shpejt djemtë tanë u kthyen në lojë dhe mbajtën epërsi deri në fund.
Pas pjesës së parë rezultati ishte 15:11 në të mirë të Kombëtares sonë.
Në fund të ndeshjes epërsia u rrit në gjashtë gola.
Leonard Gegaj u shpall më i miri te Kosova me nëntë gola. Gjashtë i realizoi Olsi Mulaj, kurse nga katër i kishin Drilon Tahirukaj, Lulzim Shabani e Drenit Tahirukaj.
Me plot 19 pritje u dallua portieri Haris Berisha.
Në këtë ndeshje në postin e selektorit debutoi suedezi Jesper Ostlund, që për asistent e ka Jasmin Zhutën.
Ndeshja e kthimit zhvillohet të dielën nga ora 17:15 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Synohet tjetër fitore për avancim në raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Botëror 2027.
 
				 
								 
															 
						 
						 
						 
						 
						 
						 
						 
						 
							 
							 
							 
							 
							 
							