Kastrioti e ka fituar me tre gola dallim ndeshjen ndaj Prishtinës, që i takoi xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Të hënën në Pallatin e Rinisë në kryeqytet, skuadra ferizajase fitoi me rezultatin 37:34. Kastrioti krijoi shpejtë epërsi 7:2, ndërsa më pas mbajti epërsi deri në fund. Në minutën e 50-të Prishtina u afrua në dy gola, 31:29. Në dy gola u afrua edhe në fund, por mysafirët mbajtën epërsinë për fitore të re.
Festim Mustafa i shënoi 10 gola për Kastriotin. Nga gjashtë i realizuan Jeton Bislimi e Felippe Teixeira. Te Prishtina dhjetë gola i shënoi Ylli Visoka. Shtatë i shtoi Albi Gjuka e gjashtë Lum Xhemajli.
Kastrioti është i dyti me 12 pikë, sa i ka edhe Rahoveci në vendin e parë.
Prishtina është e parafundit me dy pikë.
Po të hënën, kampioni në fuqi, Rahoveci, fitoi 50:27 ndaj Vushtrrisë në Samadrexhë.
Ardit Tafilaj i shënoi tetë gola për “vreshtarët”, kurse nga shtatë i kishin Granit Kadiri, Lulzim Shabani, Mali Luzha e Egzon Gjuka. Te Vushtrria, Egzon Ademi i shënoi shtatë gola, Bleon Gela gjashtë e Lulëzim Sadiku pesë.
Vushtrria mbetet e fundit dhe në kërkim të pikëve të para.