Kampioni në fuqi, Istogu, e ka fituar derbin e xhiros në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Të shtunën në palestrën “Bill Clinton”, Istogu e mposhti Ferizajn me rezultat 32:29. Ndeshja i takoi xhiros së nëntë.
Që në pjesën e parë mysafiret krijuan epërsi solide, që e mbajtën deri në fund. Vendaset në fund u afruan në dy gola, por pa rrezikuar fitoren e Istogut. Megjithatë, lojtaret e Ferizajt kanë kërkuar barazimin deri në fund, duke e bërë ndeshjen interesante.
Suzana Ujkiq i shënoi 10 gola për Istogun. Nga gjashtë i shënuan Dijana Ujkiq, Farida Mabrouk dhe Destinee Benie.
Sevdanur Ozkan i shënoi nëntë gola për Ferizajn. Gjashtë i shënoi Fetane Uzunlar e pesë Luljeta Sopjani.
Istogu është i treti me 12 pikë nga shtatë ndeshje. Ferizaj renditet i katërti me tetë pikë nga shtatë ndeshje.
Të shtunën u luajt edhe ndeshja mes Terezës dhe Kastriotit. Tereza fitoi në Obiliq me rezultat 40:26. Tereza tani është e pesta me tetë pikë nga shtatë ndeshje. Kastrioti është i shtati me dy pikë.
Christiny Aragon i shënoi 11 gola për Terezën. Arjeta Imeraj i shtoi nëntë, ndërsa Orgesa Gola gjashtë.
Te Kastrioti, Puhiza Gashi i realizoi tetë gola. Shtatë i shtoi Nikelina Franca e pesë Verona Muhaxheri.