Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Besa Famgasi mposht Rahovecin në derbin e xhiros

Besa Famgas e ka fituar derbin e xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në hendboll.

Të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në praninë e një numri të konsiderueshëm shikuesish, Besa Famgas e mposhti kampionin në fuqi, Rahovecin, me rezultatin 35:28.

Ashtu si pritej, ndeshja ishte e fortë dhe e arsyetoi epitetin e derbit. Pjesa e parë ishte kryesisht e barabartë, ndërsa përfundoi 20:19 për ekipin pejan.

Në pjesën e dytë vendasit nisën furishëm për epërsinë 25:20. Më pas “vreshtarët” ia dolën të afrohen në një gol, 28:27, por pa barazuar. Fundi i ndeshjes sërish i takoi Besa Famgasit që në fund fitoi me shtatë gola dallim.

Deniz Terziqi ishte më efikasi te Besa me 11 gola. Tetë i shënoi Jon Vokshi e shtatë Ahmed Zayan. Me shumë pritje në pjesën e dytë u dallua Flakrim Beqiraj, ndërsa paraqitje të mirë kishte edhe Olt Kabashi.

Te Rahoveci, 14 gola i shënoi Egzon Gjuka. Nga tri i kishin Lulzim Shabani e Mali Luzha.

Po të dielën, Kastrioti fitoi 43:28 ndaj Vëllaznimit në Gjakovë.

Felippe Teixeira dhe Gentrit Brahimi ishin më efikasët te Kastrioti me nga shtatë gola. 11 gola për Vëllaznimin i shënoi Ardi Halili.

Kastrioti tani është shkëputur në vendin e parë me 18 pikë, dy më shumë se Rahoveci. Besa është e treta me 10 pikë nga shtatë ndeshje. 10 pikë, por nga nëntë ndeshje, i ka Vëllaznimi në vendin e katërt.

Të dielën u luajt edhe një ndeshje e Superligës së hendbollisteve. Ferizaj e fitoi bindshëm ndeshjen e mbetur të xhiros së gjashtë ndaj Ulpianës.

Lajme tjera