Të dielën në Prishtinë ka përfunduar IHF Trophy për zonën evropiane për hendbollistet deri në 17 vjet.
Pas një gare interesante, kampione është shpallur Kombëtarja e Bullgarisë, që i fitoi të gjitha ndeshjet. Vendi i dytë i takoi Kombëtares së Belgjikës, ndërsa i treti Kombëtares së Kosovës.
IHF Trophy për zonën evropiane është ngjarje kualifikuese për Kampionat Botëror. Bullgaria tani do të paraqitet në fazën ndërkontinentale të IHF Trophy.
Lojtarja më e mirë e kampionatit u shpall Ivet Konstandinova e Bullgarisë.
Ndërkohë golashënuesja më e mirë ishte Luiza Nikitchenko e Azerbajxhanit me 35 gola.
Ky kampionat u zhvillua për pesë ditë në Pallatin e Rinisë. Ka pasur ndeshje interesante e dramatike.
Kapitenes së Bullgarisë trofeun e kampionit ia dorëzoi presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci.
Menjëherë të martën fillon IHF Trophy për zonën evropiane për hendbollistet deri në 19 vjet. Kombëtarja jonë e kërkon triumfin në këtë kampionat, që po ashtu është kualifikues për Botëror.