Të enjten mbrëma në Kino ABC në Prishtinë është shfaqur premiera e filmit dokumentar kushtuar Izet Gjinovcit, kontribuesit të madh të hendbollit dhe sportit kosovar në përgjithësi.
Të pranishëm ishin Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja Daulina Osmani, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, presidenti i nderit i KOK-ut, Besim Hasani, drejtues e ish-drejtues të FHK-së, drejtues të federatave të tjera sportive, drejtues klubesh, punëtorë e aktivistë të hendbollit si dhe shumë familjarë e të afërm të Gjinovcit.
Për kontributin dhe veprën e Izet Gjinovcit folën ministri Hajrulla Çeku, presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci, dhe bashkëshortja e të ndjerit, Valbona.
Dokumentari “Izi – ëndrra vazhdon” paraqet një pjesë të jetës dhe veprës të të ndjerit Gjinovci, që për shumë dekada dha kontribut të madh për zhvillimin e hendbollit. Dokumentari, që për regjisor e ka Orhan Kerkezin, është ndërtuar me rrëfime e kujtime të bashkëpunëtorëve të afërt të të ndjerit Gjinovci.
Pjesë e dokumentarit për Gjinovcin janë: Mexhit Devaja
president nderi i FHK-së, Eugen Saraçini, ish-president dhe anëtar i Bordit të FHK-së, Edin Kolgeci, president i FHK-së, Predrag Boshkoviq, zv. president i EHF-së,
Hajrulla Çeku, ministër i MKRS-së, Afërdita Fazlija, zv. drejtoreshë e Departamentit të Sportit në MKRS,
Muhamet Arifi, sekretar i përgjithshëm i FHK-së, Fatmir Muhaxheri, trajner i ekipeve kombëtare, bashkëshortja e ‘Izit’, Valbona, doajeni i hendbollit, Ismet Jupa dhe shoku i të ndjerit, Ekrem Janjeva.
Dokumentari plot momente emocionale, është shfaqur nën patronatin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit.