Në fund të një viti shumë të suksesshëm për familjen tonë të hendbollit, është koha që t’iu falënderojmë të gjithë juve.
Falënderojmë sidomos hendbollistët dhe hendbollistet, por edhe gjithë punëtorët e hendbollit: drejtuesit dhe anëtarët e klubeve, trajnerët, gjyqtarët, delegatët dhe secilin që në një mënyrë apo tjetër jep kontribut për sportin tonë.
Falë kontributit tuaj po e mbyllim një vit tjetër të suksesshëm, në të cilin kemi prekur pika të reja në rritjen tonë.
E falënderojmë edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për përkrahjen e madhe dhe të vazhdueshme, Komitetin Olimpik të Kosovës dhe gjithë partnerët tanë, si NLB Banka, KEP Trust, Hotel Emery, Hotel International, Deko Solution, Meditech, Spitalin “Fati Im” dhe partnerët tanë të shumtë.
Falënderojmë edhe partnerët e panumërt të klubeve tona që po ashtu kontribuojnë në rritjen e hendbollit.
Pjesëmarrja në Kampionatin Botëror në Egjipt ishte moment kulmor i vitit 2025. Por në të njëjtën kohë kemi organizuar me shumë sukses ngjarje ndërkombëtare, duke e bërë Kosovën qendër të rëndësishme të hendbollit. Kemi luajtur shumë ndeshje me ekipet kombëtare, brenda e jashtë vendit, ndërsa garat vendore janë zhvilluar sipas dinamikës së paraparë.
Kampi Veror, Master-Plani, Hendbolli në Shkolla, RINCK Konventa, shkollimi i gjyqtarëve, grumbullimet me të rinj, janë projekte të tjera që kishin përkushtimin tonë maksimal gjatë vitit 2025.
Rritja e deritashme na jep përgjegjësi shtesë për të vazhduar përkushtimin e angazhimin për suksese edhe më të mëdha gjatë vitit 2026.
Kohë për pushim nuk ka.
Menjëherë në janar nisim me aktivitete të ekipeve kombëtare. Menjëherë në shkurt vazhdojmë garat vendore, që natyrisht janë prioritet, e po ashtu organizojmë ngjarjet e para ndërkombëtare.
Aktivitetet do të jenë të shumta e synimet të mëdha.
Natyrisht, llogarisim në përkrahjen e kontributin nga të gjithë ju.
Faleminderit nga zemra për çdo gjë që bëni për hendbollin.
Gëzuar Vitin e Ri
Edin Kolgeci,
President i FHK-së