Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Aktivitet shumë i rëndësishëm me fëmijë në Ferizaj

Federata e Hendbollit e Kosovës në bashkëpunim me Qendrën e Kujdesit Ditor – PEMA dhe me klubin e hendbollit Kastrioti (meshkujt), ka organizuar të mërkurën në Ferizaj një aktivitet shumë të rëndësishëm.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, 3 Dhjetorit, u mbajt aktiviteti sportiv me fëmijë me aftësi të kufizuara, që për qëllim e kishte promovimin e përfshirjes së tyre në sport, përkatësisht në hendboll.

Këtë aktivitet nga afër e përcolli presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci, drejtues të tjerë të federatës, personalitete të hendbollit nga qyteti i Ferizaj dhe përgjegjësit e Qendrës PEMA.

Fëmijët kishin rastin që të përjetojnë emocionet e lojës së hendbollit, të ndihen pjesë e grupit dhe e ekipit dhe me forca të përbashkëta të kontribuojnë për suksesin e përgjithshëm. Fëmijët dëshmuan se secili prej tyre, pavarësisht sfidave, ka potencial të merret me sport, të zhvillojë talentin dhe të integrohet plotësisht në shoqëri e të kontribuojë për të.

U zhvillua lojë në atmosferë pozitive e frymëzuese. Në fund të gjithë pjesëmarrësve iu ndanë medalje, ndërsa ekipit fitues edhe një kupë.

FHK-ja, klubi Kastrioti dhe Qendra e Kujdesit Ditore PEMA mbeten të përkushtuara për mbështetjen e nismave që promovojnë sportin, humanizmin dhe vlerat e sportit në komunitetin tonë.

Lajme tjera