Delegacioni i Federatës së Hendbollit të Kosovës, i përbërë nga presidenti Edin Kolgeci dhe sekretari i përgjithshëm, Muhamet Arifi, po merr pjesë në punimet e Kongresit Zgjedhor të Federatës Evropiane të Hendbollit që po mbahet në Andau të Austrisë.
Të premten janë mbajtur zgjedhjet për president dhe pozita tjera drejtuese të EHF-së.
Michael Wiederer ka fituar edhe një mandat për ta drejtuar Federatën Evropiane të Hendbollit. Për 69-vjeçarin Wiederer është mandati i tretë në krye të EHF-së. Ai e drejton shtëpinë evropiane të hendbollit që nga viti 2016.
Predrag Boshkoviq i Malit të Zi është rizgjedhur në postin e nënpresidentit të parë të EHF-së.
Zgjedhjet janë mbajtur edhe për shumë pozita të tjera drejtuese e po ashtu për komisione.
Pjesëmarrjen në Kongres, Kolgeci e Arifi po e shfrytëzojnë për takime të shumta me drejtues të EHF-së dhe të federatave tjera nacionale.
Ndërkohë, pos marrëveshja për Master Plan, të firmosur me EHF-në, federata jonë ka nënshkruar edhe Kartën Grassroots, që ka të bëjë me zhvillimin e hendbollit bazik. 19 federata nacionale, në mesin e të cilave edhe federata jonë, janë bërë nënshkrueset e para të këtij projekti të EHF-së. Kështu partneriteti i FHK-së me EHF-në vetëm sa shkon e forcohet.