Federata e Hendbollit e Kosovës ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Obiliqit, që do të shërbejë për zhvillimin e mëtejmë të hendbollit në këtë qendër të rëndësishme.
Marrëveshja është firmosur gjatë takimit që sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Muhamet Arifi, ka zhvilluar me drejtoreshën për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Obiliqit, Liridona Shabani.
Marrëveshja ka të bëjë me organizimin e aktiviteteve të hendbollit dhe turneve të ndryshëm, me mbështetjen e ekipeve të të rinjve dhe shfrytëzimin e palestrës “Adem Jashari” në Obiliq për aktivitete të ndryshme të ekipeve kombëtare të Kosovës.
Dy palët janë shumë të kënaqura me bashkëpunimin e deritashëm, ndërsa kanë premtuar thellim të bashkëpunimit për të ardhmen.
Obiliqi vazhdimisht ka qenë qendër e rëndësishme për hendbollin e Kosovës dhe kështu vazhdon të jetë. Sekretari i përgjithshëm Arifi e ka falënderuar drejtoreshën Shabani për angazhimin që hendbolli të ketë vend të duhur në këtë komunë.