Kastrioti e Rahoveci e luajnë të enjten mbrëma ndeshjen e dytë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Ndeshja zhvillohet nga ora 20:00 në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Palestra pritet të mbushet me shikues, ndërsa në fushën e lojës pritet spektakël hendbolli.
Rahovecit i duhet fitorja për ta mbrojtur titullin e kampionit. “Vreshtarët” e fituan finalen e parë, të zhvilluar të dielën, me rezultat 28:25.
Kastriotit për titull të kampionit i duhen dy fitore. Ndeshja e tretë eventuale zhvillohet të dielën në Rahovec.
Rahovecasit vjet e fituan titullin e parë në histori. Ferizajasit titullin e fundit e kanë fituar në vitin 2011.
Ndeshja e parë finale ishte shumë interesante, me duele të forta e gola të bukur.
Tjetër top-ndeshje na pret nesër mbrëma në Ferizaj.