Një sekondë para fundit, Matheus Henrique shënoi golin e fitores 32:31 të Trepçës ndaj Llapit në Podujevë.
Ndeshja që e hapi xhiron e dhjetë të Superligës së Kosovës në hendboll ishte shumë interesante dhe dramatike.
Në minutën e 55-të Llapi kishte epërsi prej tri golash, 30:27. Eris Beqiri i shënoi tri gola rresht për 30:30. Në minutën e 58-të, Blerton Hasani shënoi për epërsinë 31:30 të Llapit. Sali Maxhera shënoi për barazimin 31:31 në minutën e 59-të, ndërsa më pas Henrique shënoi për fitoren e madhe të “xehetarëve”.
Beqiri i realizoi 11 gola, katër prej tyre nga penalltia. Maxhera i kishte dhjetë, ndërsa Henrique e Amar Mujka nga pesë.
Te Llapi nëntë gola i shënoi Artir Muçiqi. Gjashtë i kishte Blerton Hasani e pesë Victor Ramirez Rios. Nga katër i realizuan Endrit Havolli e Enis Rexhepi.
Trepça i ka tetë pikë në vendin e pestë. Llapi është i gjashti me gjashtë pikë.