Kampioni i Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave, Istogu, në fundjavë i luan dy ndeshjet e raundit të tretë të Kupës Evropiane (EHF European Cup).
Istogu do të përballet me skuadrën portugeze, Madeira Andebol SAD. Të dy ndeshjet luhen në Funchal të Portugalisë. Ndeshja e parë është të shtunën nga ora 17:00, ndërsa e dyta të dielën në termin të njëjtë.
Istogu është ekipi i vetëm kosovar i kualifikuar në raundin e tretë. Te ky klub janë pajtuar që dy ndeshjet të luhen në Portugali, për shkak të telasheve me palestër. Palestra në Istog ka shumë vjet që është në proces të rinovimit.
Istogu nuk do të jetë i kompletuar në ndeshjet me Madeiran. Disa lojtare të huaj të kësaj skuadre nuk janë pajisur me viza për të hyrë në Portugali.
Në raundin e dytë të EHF European Cup, Istogu e eliminoi skuadrën greke, AEP Panorama.