Të hënën në Banjë të Pejës ka nisur seminari për trajnerë të grupmoshave të reja. Seminari i rëndësishëm vazhdon edhe të martën.
Për trajnerët kosovarë të hendbollit dhe për mësimdhënësit e angazhuar në projektin “Hendbolli në Shkolla” po ligjëron ekspertja nga Portugalia, Luisa Estriga.
Seminari po organizohet në kuadër të programit “Grassroots”, që është program i Federatës Evropianit të Hendbollit. Pjesë e “Grassroots” tashmë është edhe Federata e Hendbollit e Kosovës. Si përfaqësuese e “Grassroots” nga EHF-ja në seminar po merr pjesë Noemi Szecsenyi.
Në ditën e parë të seminarit janë shtjelluar tema shumë të rëndësishme për punën me të rinj si: roli i trajnerit dhe ndryshimi i qasjes tradicionale; zhvillimi afatgjatë i lojtarëve të hendbollit; hartimi i programeve që janë angazhuese, përfshirëse dhe sfiduese për fëmijë e të rinj; krijimi i mjediseve të përshtatshme stërvitore për të nxitur zhvillimin e lojtarëve.