Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Kastrioti fiton tjetër derbi në Superligë

Kastrioti ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Të shtunën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, në praninë e një numri të konsiderueshëm shikuesish, Kastrioti e mposhti Besa Famgasin me rezultat 37:31.

Ishte ky derbi i xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në hendboll. Dhe ndeshja ka arsyetuar epitetin e derbit. Ishte e fortë dhe e hapur thuajse deri në fund.

Në pjesën e parë ekipi pejan, Besa Famgas bëri shkëputje deri në tri gola, (8:5, 9:6, 10:7). Por pas 30 minutave lojë rezultati ishte i barabartë, 16:16.

Me të nisur pjesa e dytë, skuadra vendase bëri shkëputje prej dy golash, por mysafirët nuk u dorëzuan. Në minutën e 47-të ishte barazimi i fundit 24:24. Deri në minutën e 53-të, Kastrioti kishte epërsi prej vetëm një goli (28:27). Më pas në skenë doli Ëadi Chebbi me disa pritje rresht dhe skuadra ferizajase rriti epërsinë deri në fund.

Pos portierit Chebbi te Kastrioti janë dalluar edhe Felippe Teixeira e Adonit Isufi me nga gjashtë gola, si dhe Alban Haziri, Festim Mustafa e Jeton Bislimi me nga pesë.

Deniz Terziqi i shënoi nëntë gola për Besa Famgasin. Gjashtë i kishte Jon Vokshi, pesë Hamed Ahmed Khamis, kurse nga katër Ahmed Zayan Amrali dhe Elion Vokshi.

Kastrioti i ka 14 pikë nga tetë ndeshje. Është në vendin e dytë. Rahoveci i ka po ashtu 14 pikë nga tetë ndeshje në vendin e parë.

Besa Famgas renditet e katërta me tetë pikë nga gjashtë ndeshje.

Ndeshje interesante ishte edhe ajo mes Trepçës dhe Vëllaznimit. Me vetëm një gol dallim, 28:27, fitore shënoi Vëllaznimi.

Në pjesën e dytë mysafirët ishin vazhdimisht në epërsi, por në minutat e fundit vendasit u afruan disa herë në një gol duke e bërë ndeshjen interesante.

Ardi Halili i shënoi shtatë gola për Vëllaznimin. Çlirim Rama kontribuoi me gjashtë, kurse Florian Rexha e Isuf Kadrijaj i shënuan nga katër.

Dhjetë gola për Trepçën i shënoi Matheus Henrique. Gjashtë i realizoi Eris Beqiri e katër Amar Mujka.

Vëllaznimi është i treti me 10 pikë nga tetë ndeshje. Trepça i ka gjashtë pikë në vendin e pestë.

Me vetëm një gol dallim përfundoi edhe ndeshja mes Vushtrrisë dhe Llapit, që ishte shumë dramatike.

Në palestrën në Vushtrri, llapjanët fituan me rezultat 35:34. Vushtrria kishte epërsi bindëse, 20:14, pas pjesës së parë. Por Llapi u përgjigj fuqishëm në të dytën.

Llapi së pari barazoi në minutën e 52-të. Artir Muçiqi shënoi për 29:29. Më pas kishte barazime 30:30, 31:31, 32:32, 33:33 e 34:34. Por gjithnjë Vushtrria ishte në epërsi të një goli. Megjithatë në minutën e 60-të Edi Lushaku shënoi për 35:34 në të mirë të Llapit. Me këtë rezultat përfundoi ndeshja.

Blerton Hasani i shënoi gjashtë gola për Llapin, duke përfshirë tre në minutat e fundit. Rios Victor Ramirez i realizoi pesë gola, ndërsa Muçiqi i kishte katër.

Te Vushtrria 12 gola i realizoi Egzon Ademi. Nga pesë i kishin Armend Karaça e Bleon Gela.

Llapi i ka gjashtë pikë në vendin e gjashtë. Vushtrria mbetet e fundit, pa pikë.

Lajme tjera