Kastrioti i Ferizajt e ka humbur ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kupës Evropiane për hendbollistë.
Të premten në palestrën në Lipjan, Kastrioti humbi nga kampioni i Luksemburgut, Red Boys Differdange me rezultat 31:28.
Pjesa e parë ishte e fortë dhe e barabartë. Përfundoi 14:14.
Në të dytën skuadra nga Luksemburgu bëri shkëputje të madhe. Por ferizajasit u afruan në fund për ta lënë sfidën të hapur për ndeshjen e dytë që zhvillohet të shtunën mbrëma nga ora 20:00.
Alban Haziri ishte më efikasi te Kastrioti me 9 gola. Me lojë të mirë u shqua Jeton Bislimi, që i kishte shtatë gola nga shtatë tentime. Felippe Teixeira i shënoi pesë gola, derisa portieri Wadi Chebbi u dallua me plot 15 pritje.
Rezultati e lë në lojë Kastriotin, që në ndeshjen e së shtunës mbrëma do ta kërkojë përmbysjen e madhe dhe kualifikimin.