Nën urdhrat e selektorit Bujar Qerimi, Kombëtarja A e Kosovës në hendboll i ka zhvilluar të hënën dy stërvitjet e para në prag të ndeshjes me Ishujt Faroe.
Kombëtarja është grumbulluar në Prishtinë, ndërsa të gjithë lojtarët e ftuar janë në dispozicion për ndeshjen e së enjtes.
Të hënën është punuar në elemente taktike të lojës, përkatësisht në skemat që pritet të shërbejnë në ndeshjen sfiduese me Ishujt Faroe.
Kombëtarja në program i ka edhe katër stërvitje të tjera që do të shërbejnë për ta përgatitur sa më mirë ndeshjen që zhvillohet të enjten nga ora 20:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Ndeshja me Ishujt Faroe është e parafundit e fazës së fundit të kualifikimeve për Euro 2026. Kombëtares sonë i duhet fitorja për të mbetur fuqishëm në garë për kualifikim historik në Evropian.
Shtabi teknik dhe gjithë lojtarët kanë bërë ftesë që numri i tifozëve të jetë sa më i madh, në mënyrë që së bashku të arrihet rezultati i synuar ndaj Ishujve Faroe.