Hendbollistet e Kosovës U19 e kanë përfunduar me fitore paraqitjen në IHF Trophy për zonën evropiane.
Të shtunën mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, Kombëtarja jonë fitoi ndaj Belgjikës me rezultatin 31:27.
Ndeshja ishte interesante. Në pjesën e parë belget e reja ishin vazhdimisht në epërsi, ndërsa pas 30 minutave lojë rezultati ishte 13:13.
Pjesën e dytë Kosova U19 e nisi mbarë dhe krijoi shpejt epërsi prej disa golash. Dhe epërsinë e mbajti deri në mbarim, ndonëse lufta sportive nuk u ndal deri në minutën e fundit.
Për Kosovën ishte fitorja e tretë nga katër ndeshje të luajtura.
Vanesa Kastrati ishte më efikasja te Kosova me 10 gola.
Sara Gjergjaj i realizoi shtatë, kurse Arona Krasniqi e Diona Dresh nga pesë.
Me pritje të shumta është dalluar Alina Shabani. Gjithë skuadra dha kontribut në fitoren e rëndësishme.
Me këtë ndeshje përfundoi IHF Trophy për zonën evropiane.