Prishtina e Vëllaznimi kanë luajtur ndeshje interesante të dielën në Pallatin e Rinisë. Dhe në fund të dy skuadrat morën nga një pikë.
Ndeshja e xhiros së 13-të të Superligës së Kosovës në hendboll përfundoi 34:34.
Pas fillimit të barabartë, Vëllaznimi ishte në epërsi deri në minutën e 40-të. Pas disa minutave të barabartë sërish gjakovarët kthyen epërsinë. Madje udhëhoqën 34:30 në minutën e 58-të. Por Prishtina i shënoi katër gola rresht, dy përmes Albi Gjukës e dy përmes Enis Kuletës, për të barazuar në fund 34:34. Dy gola Prishtina i shënoi në minutën e fundit.
Kuleta i kishte plot 16 gola për Prishtinën. Gjuka i shënoi tetë.
Te Vëllaznimi, Ardi Halili i realizoi tetë gola, kurse Arnis Spahija, Çlirim Rama e Florian Rexha i kishin nga pesë.
Vëllaznimi është i katërti në tabelë me 13 pikë, ndërsa Prishtina mbetet e parafundit me shtatë pikë.
Të dielën u luajtën edhe dy ndeshje tjera të xhiros së 13-të.
Besa Famgas fitoi ndaj Llapit me rezultat 44:32, ndërsa Trepça fitoi në udhëtim ndaj Vushtrrisë me rezultat 30:27.
Jon Vokshi me 11 dhe Deniz Terziqi me nëntë gola udhëhoqën Besën. Te Llapi, Victor Rios Ramirez i shënoi gjashtë gola, ndërsa Santos De Souza Kaiq i kishte pesë.
Trepçën drejt fitores e udhëhoqën Eris Beqiri me nëntë gola dhe Sali Maxhera me tetë. Nëntë gola te Vushtrria i kishte Egzon Ademi, kurse tetë i shënoi Amir Fazliu.
Besa i ka 20 pikë në vendin e tretë, ndërsa e ka një ndeshje më pak të luajtur. Trepça është e pesta me 10 pikë. Llapi i ka tetë në vendin e gjashtë, kurse Vushtrria kërkon pikët e para.