Pasi e kaloi me sukses raundin e parë, Besa Famgas e kërkon suksesin edhe në raundin e dytë të Kupës Evropiane për hendbollistë (EHF European Cup).
Skuadra pejane do të përballet me skuadrën nga Bosnjë-Hercegovina, Izvigjaç.
Ndeshja e parë zhvillohet në qytetin e Bosnjë-Hercegovinës, Lubushki, të dielën nga ora 17:00. Ndeshja e kthimit është më 19 tetor në Pejë.
Por skuadra pejane ka pasur telashe të mëdha për të udhëtuar për në Bosnjë-Hercegovinë. Si shumë herë deri më tani, autoritetet e Bosnjë-Hercegovinës nxorën shumë telashe për pajisje të kosovarëve me viza të këtij vendi, ndonëse aplikimi u bë me kohë dhe u respektuan të gjitha procedurat.
Vetëm të premten delegacioni i klubit pejan është pajisur me viza, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë ka arritur të shtunën.
Për më tepër, Besa do të jetë pa dy prej lojtarëve kryesorë, egjiptianët Ahmed Hosni Hamed dhe Abdulah Zayan. Atyre nuk u janë lëshuar vizat.
Fillimisht ndeshja është dashur të luhet të shtunën mbrëma, por pas telasheve të shkaktuara nga autoritetet e Bosnjë-Hercegovinës, ndeshja është shtyrë për të dielën në ora 17:00.
Besa Famgas në raundin e parë të Kupës Evropiane e kaloi skuadrën turke, Depsas Enerji.
Izvigjaçi vlerësohet ekip i nivelit më të lartë. Është kampion në fuqi i Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa ka fituar tre titujt e fundit.