Pas përfundimit të suksesshëm të garave, përkatësisht të turneut të Kupës së Republikës së Kosovës dhe fazës finale të kampionatit në të dy gjinitë, dëshiroj të shpreh falënderimet më të sinqerta për të gjithë pjesëmarrësit dhe komunitetin e hendbollit në vendin tonë.
Këtë edicion garues kemi qenë dëshmitarë të një rritjeje të ndjeshme të konkurrencës, të shikueshmërisë dhe të nivelit të organizimit, që tregon për përparimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të sportit të dashur për të gjithë ne.
Falënderojmë klubet, hendbollistët, trajnerët, gjyqtarët, delegatët, tifozët, stafin e FHK-së dhe gjithë ata që kontribuuan për një edicion të jashtëzakonshëm.
Urojmë KH Rahovecin dhe KHF Istogun për titullin e kampionit. Urojmë KH Kastriotin dhe KHF Istogun për Kupën e Kosovës.
Garat e të rriturve i përfunduam të enjten mbrëma me një ndeshje spektakolare, në një atmosferë po ashtu spektakolare në arenën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Me praninë e tyre na nderuan mysafirë të shumtë, duke përfshirë Zoran Radojiçiqin, presidentin e Konfederatës Mesdhetare të Hendbollit, organizatë që përbëhet nga plot 25 federata nacionale.
Faleminderit po ashtu Kombëtareve të të gjitha moshave për angazhimin. Urime Kombëtares U18 për kualifikim në Botëror. Me pak fat dhe pak më shumë angazhim do të ishim edhe në Evropian me Kombëtaren A të meshkujve.
Ju dëshiroj suksese të gjitha klubeve tona në garat evropiane.
Së bashku vazhdojmë të ndërtojmë një të ardhme të ndritur për hendbollin kosovar dhe sigurojmë ngritje dhe zhvillim në çdo aspekt dhe çdo drejtim.
Ju faleminderit.
Me respekt,
Edin Kolgeci,
President i Federatës së Hendbollit të Kosovës
