Kampioni i Kosovës në hendboll, Rahoveci, e ka luajtur të premten mbrëma ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kupës Evropiane për hendbollistë.
Në Luksemburg, Rahoveci humbi 41:34 nga Dudelange. “Vreshtarët” nisën mirë, ndërsa shpejt loja u bë e barabartë. Më pas ishin lojtarët e Dudelanges që kaluan në epërsi. Në fund të pjesës së parë ekipi luksemburgas ishte në epërsi prej dy golave, 18:16.
Pas minutës së 40-të Dudelange nisi shkëputjen më të madhe në rezultat për fitore 41:34 në fund.
Rahoveci është paraqitur pa lojtarin më të mirë, Egzon Gjuka, që është i lënduar.
Arbios Mushkolaj i shënoi 11 gola për Rahovecin. Shtatë i realizoi Mali Luzha, ndërsa nga katër i kishin Vlerson Zherka e Rron Ramadani. Tetë pritje i kishte Arbër Curri.
Ndeshja e dytë mes Rahovecit e Dudelanges zhvillohet të shtunën prej orës 20:30.
Rahoveci është pajtuar që dy ndeshjet t’i luajë në Luksemburg për shkak të shfrytëzimit të palestrës “Mizahir Isma” për zgjedhjet lokale.