Ka mbetur më pak se një muaj deri te fillimi i Kampit Veror, aktivitetit shumë të rëndësishëm të verës të organizuar nga Federata e Hendbollit e Kosovës.
Këtë vit kampi quhet NLB Kampi Veror, në emër të sponsorit që e mbështet financiarisht aktivitetin e rëndësishëm.
Kampi tradicional do të mbahet në Banjë të Pejës, ndërsa Bordi i FHK-së tashmë ka përcaktuar përgjegjësit. Për punën me hendbollistët e rinj përgjegjës do të jetë selektori i Kombëtares së Kosovës, Bujar Qerimi, ndërsa për punën me hendbolliste të reja përgjegjës do të jetë Faruk Shala, trajner i klubit kampion të Kosovës, Istogut, si dhe kryetar i Shoqatës së Trajnerëve të Hendbollit të Kosovës.
Në proces është përzgjedhja e trajnerëv që do të punojnë me kampistët. Do të ketë edhe aktivitete në kuadër të projektit të përbashkët me federatën zvicerane “Hendbolli na bashkon” e po ashtu seminar për trajnerët e grupmoshave të reja dhe për hendbollin në shkolla, në bashkëpunim me Federatën Evropiane të Hendbollit.
Të përfshirë në kamp do të jenë rreth 200 hendbollistë të rinj e hendbolliste të reja.
Për hendbollistët e rinj kampi do të mbahet prej 14 deri më 19 korrik. Ndërkohë hendbollistet e reja do të grumbullohen prej 19 deri më 25 korrik.