Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Samadrexha fiton derbin me Istogun

Samadrexha e ka fituar derbin e xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.

Të shtunën mbrëma në palestrën “Afrim Bunjaku”, Samadrexha e mposhti kampionin në fuqi, Istogun me rezultat 30:20.

Në pjesën e parë vendaset mbajtën vazhdimisht epërsi prej dy e tri golash, kurse pas 30 minutave rezultati ishte 13:12.

Në pjesën e dytë lojtaret e Samadrexhës ishin edhe më bindëse, kurse në fund krijuan epërsi prej dhjetë golash.

Jennifer Abreu Toledo ishte më efikasja te Samadrexha me tetë gola. Shtatë i shënoi Arona Krasniqi, ndërsa Tina Hetemi shtoi gjashtë.

Tek Istogu, pesë gola i realizoi Farida Mabrouk, kurse Olikaka Balotinelle i kishte katër.

Samadrexha e shënoi fitoren e pestë rresht. Ndërkohë Istogu e pësoi humbjen e parë, pas katër fitoreve.

Samadrexha tani është shkëputur e vetme me 10 pikë. Istogu i ka tetë.

Në dy ndeshjet tjera të së shtunës nuk ka pasur befasi.

Shqiponja fitoi në Gjakovë ndaj Terezës së Obiliqit me rezultatin 43:31. Ana Carolini Gonçalves i shënoi dhjetë gola për Shqiponjën. Nëntë i kishte Juleidt Lourençao, ndërsa tetë Alma Nivokazi.

Te Tereza më efikasja ishte Kaltrina Paci me nëntë gola. Shtatë i shënoi Melike Ipçi.

Për Shqiponjën ishte fitorja e katërt. Tereza e pësoi humbjen e dytë.

Ndeshjen e luajtur në Pejë mes Besës dhe Prishtinës e fituan mysafiret me rezultat 47:23.

Celine Sia Tolno i realizoi 11 gola për Prishtinën, kurse dhjetë i shtoi Eduarta Kurteshi.

Edona Radoniqi u dallua te Besa me 11 gola. Nga katër i realizuan Arnesa Polaca e Samanda Konjuhaj.

Prishtina tani ka dy fitore e tri humbje. Ndërkohë Besa e pësoi humbjen e gjashtë.

Lajme tjera