Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Shqiponja fiton në Ferizaj, Samadrexha në Obiliq

Ana Carolina Gonçalves me 14 gola dhe Alma Nivokazi me 13, e kanë udhëhequr Shqiponjën drejt fitores bindëse ndaj Ferizajt.
Të shtunën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, skuadra gjakovare fitoi me rezultat 41:27.
Ishte kjo ndeshja kryesore e xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës në hendboll.
Shtatë gola për Shqiponjnën i kishte Juleidt Lourençao.
Te skuadra ferizajase më efikasja ishte Elsa Kongjeli me tetë gola. Shtatë i kishte Sevdanur Ozkan e pesë Shkurte Mehmeti.
Ferizaj e pësoi humbjen e parë pas katër fitoreve rresht. Shqiponja tani ka pesë fitore e dy humbje.
Vendin e parë në tabelë e ka ruajtur Samadrexha, që e shënoi fitoren e gjashtë radhazi. Samadrexhaset fituan ndaj Terezës në Obiliq me rezultat 40:27.
Jennifer Abreu Toledo u shqua te Samadrexha me 12 gola. Nga 9 i shënuan Tina Hetemi e Vitoria De Paula Oliveira.
Kaltrina Paci me nëntë gola dhe Bleona Hashani me pesë ishin realizatoret më të mira të Terezës.
Samadrexha udhëheq me 12 pikë, dy më shumë se Shqiponja e Istogu.
Kampioni në fuqi, Istogu, fitoi me rezultat 42:23 ndaj Kastriotit. Kjo ndeshje u luajt në Ferizaj, ndonëse Istogu ishte vendas.
Suzana Ujkiq i shënoi 11 gola për istogaset, kurse nëntë i shtoi Farida Mabrouk. Nikelina Franca u dallua te Kastrioti me 13 gola.
Bindëse ishte edhe Prishtina ndaj Ulpianës në Lipjan. Në fitoren 45:28, Sia Celine Tolno i shënoi 15 gola, Angelika Luberecka dhjetë e Eduarta Kurteshi nëntë. Doruntina Qufaj i shënoi 12 gola për Ulpianën, ndërsa nëntë Bintou Oulare.
Prishtina e shënoi fitoren e tretë.
Ulpiana e Kastrioti mbesin pa pikë, njëjtë si Besa.

Lajme tjera