Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Skuadrat e kreut nuk lejojnë befasi

Të shtunën u luajtën ndeshjet e xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Dhe skuadrat e kreut nuk kanë lejuar befasi.

Fillimisht kampioni në fuqi, Rahoveci, fitoi ndaj Trepçës në Mitrovicë me rezultatin e thellë, 46:25.

Egzon Gjuka i shënoi 11 gola për Rahovecin. Ardit Tafilaj i realizoi tetë e Granit Kadiri shtatë. Te Trepça më efikasi ishte Matheus Henrique me shtatë gola. Nga gjashtë i kishin Amar Mujka e Eris Beqiri.

Në ndeshjen e dytë të së shtunës, Vëllaznimi fitoi në Gjakovë ndaj Vushtrrisë me rezultat 42:31.

Florian Rexha i shënoi tetë gola për gjakovarët. Me nga shtatë kontribuuan Çlirim Rama e Luigj Kolaj. Të Vushtrria më efikasët ishin Egzon Ademi me nëntë gola dhe Amir Fazliu me tetë.

Lideri i klasifikimit, Kastrioti, fitoi në Podujevë ndaj Llapit me rezultat 41:23.

Adonit Isufi u shqua me gola të shënuar te ferizajasit. Ai realizoi dhjetë herë. Shtatë i kishte Felippe Teixeira, ndërsa nga gjashtë i kishin Alban Haziri, Festim Mustafa e Gentrit Brahimi.

Kaiq Santos De Souza i shënoi gjashtë gola për Llapin. Etnik Bajoku i kishte katër, ndërsa nga tri i realizuan Blerton Hasani, Artir Muçiqi dhe Victor Ramirez Rios.

Në ndeshjen e fundit të xhiros, Besa Famgas fitoi në Pejë ndaj Prishtinës me rezultat bindës, 54:39.

Jon Vokshi i kishte plot 13 gola për Besën. Nga 9 herë konkretizuan Ahmed Khamis e Ahmed Zayan Amr Ali.

Te Prishtina 12 gola i kishte Albi Gjuka e shtatë Enis Kuleta.

Kastrioti mbetet lider me 22 pikë, dy më shumë se Rahoveci. Pason Besa Famgas me 14 pikë nga nëntë ndeshje, ndërsa Vëllaznimi i ka 12 nga 11 ndeshje.

Pasojnë Trepça e Llapi me nga tetë pikë, Prishtina me gjashtë dhe Vushtrria që është në kërkim të pikëve të para.

Lajme tjera