Me superderbin mes Rahovecit dhe Kastriotit fillon xhiroja e 13-të e Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën nga ora 19:00 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.
Përballen dy skuadrat me pretendime maksimale. Si Rahoveci ashtu edhe Kastrioti kanë paralajmëruar fitore, si shenjë e një ndeshjeje të fortë e interesante. Edhe numri i shikuesve pritet të jetë i madh.
Kastrioti i Ferizajt është lider me 22 pikë, dy më shumë se kampioni në fuqi, Rahoveci.
Ndeshjen në Ferizaj, skuadra e Kastriotit e kishte fituar me rezultat bindës.
Tri ndeshjet tjera të xhiros së 13-të janë të dielën.
Nga ora 15:30 është ndeshja mes Prishtinës e Vëllaznimit. Të dy skuadrat synojnë pikët dhe pritet ndeshje e mirë.
Nga ora 18:00 janë dy ndeshjet e tjera: Besa Famgas – Llapi dhe Vushtrria – Trepça.