Kombëtarja e Kosovës në hendboll e ka fituar edhe ndeshjen e dytë me Britaninë e Madhe.
Të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet, në praninë e një numri të konsiderueshëm shikuesish, Kombëtarja jonë fitoi me rezultat 35:30. Në Derby të Anglisë, të mërkurën, djemtë tanë fituan 32:26.
Me rezultatin e përgjithshëm 67:56, Kombëtarja jonë avancon në raundin e dytë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027. Është hera e parë që Kombëtarja jonë avancon nga raundi i parë kualifikues për Botëror.
Në tri pjesëmarrjet e para kishte fazë grupore, ndërsa për Botërorin 2025 jemi përballur me Sllovakinë.
Në pjesën e parë të ndeshjes Kombëtarja jonë shfaqi më shumë, ndërsa pas 30 minutave lojë rezultati ishte 17:13.
Papritmas, 10 minutat e parë të pjesës së dytë ishin shumë të vështirë. Britanikët reaguan, dolën në epërsi prej dy golash që e mbajtën për një periudhë.
Por Kombëtarja jonë tregoi karakter duke kthyer sërish avantazhin, ndërsa në fund dallimi ishte pesë gola, 35:30.
Drenit Tahirukaj i shënoi shtatë gola për Kosovën. Drilon Tahirukaj, Leonard Gegaj e Egzon Gjuka i kishin nga gjashtë.
Ndeshjet e fazës së dytë kualifikuese luhen në muajin mars të vitit të ardhshëm. Gjithsej janë tri faza.
Me ndeshjet ndaj Britanisë së Madhe në krye të Kombëtares ka debutuar selektori Jesper Ostlund dhe asistenti i tij, Jasmin Zhuta. Ostlund do të ketë kohë dukshëm më të madhe në dispozicion për ta përgatitur ekipin për ndeshjet e fazës së dytë. Priten edhe ndeshje miqësore në janar.