Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Tjetër superndeshje mes Besës e Kastriotit, gjysmëfinalja barazohet në 1:1

Besa Famgas e Kastrioti kanë luajtur tjetët top-ndeshje në gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll.

Të shtunën mbrëma në “Karagaçi” në Pejë, fitore me rezultat 31:29 shënoi Besa.

Kështu rezultati në serinë gjysmëfinale u barazua në 1:1. Në finale do të kalojë skuadra që e fiton ndeshjen e tretë, që luhet në Ferizaj.

Ndeshja e së shtunës ishte shumë e fortë dhe me plot duele e gola të bukur. Pjesa e parë ishte e barabartë, ndërsa pas 30 minutave ferizajasit ishin një gol para, 17:16.

Në fillim të pjesës së dytë më shumë shfaqën lojtarët e Kastriotit, por më pas vendasit morën kontrollin. Besa u shkëput deri në katër gola, ndërsa fundi ishte dramatik. Kastrioti u afrua në një gol, por pa ia dalë të barazojë. Dhe kështu fitorja e festa ishte për pejanët.

Olsi Mulaj i shënoi 8 gola për Besa Famgas. Nga gjashtë i realizuan Balsha Çejoviq e Amar Muqolli, ndërsa pesë i kishte Vladimir Stankoviq.

Te Kastrioti, Yassine Henahen i shënoi 10 gola, kurse 9 i kishte Deniz Terziqi. Wadi Chebbi bëri pritje të shumta po ashtu.

Ndeshja e tretë gjysmëfinale zhvillohet pas ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës.