Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Top-ndeshje në gjysmëfinale të Ligës së Pionierëve

Dy top-ndeshje u zhvilluan të dielën në Podujevë në gjysmëfinale të Ligës së Pionierëve të Kosovës në hendboll.

Fillimisht Llapi fitoi ndaj Istogut me rezultat 22:17.

Llapjanët i udhëhoqi Albi Ramadani me dhjetë gola. Nga tri i realizuan Diar Havolli, Arden Ajeti e Xhevahir Rama.

Tek Istogu, Florent Mavraj i kishte 11 gola. Pesë i shënoi Kamer Sejdijaj. Në përgjithësi loja ishte e fortë, e bukur dhe njomakët shfaqën potencial të madh për të ardhmen.

Edhe më rivalizuese ishte gjysmëfinalja e dytë mes Deçanit dhe Besa Famgasit.

Pas një ndeshje shumë të fortë, fitore me rezultat 23:22 shënoi Deçani.

Ndeshja kishte fund dramatik. Besa ishte në epërsi 22:21, por deçanasit i shënuan dy gola për vend në finale. Denis Alimusaj e realizoi golin e fitores.

Endrim Lika ishte më efikasi te Deçani me 9 gola. Bleart Cacaj e Lulzim Kuçi i shënuan nga tri.

Te Besa Famgas më efikasi ishte Ajan Muqolli me 13 gola. Bled Gjuka i shënoi katër e Arbios Kryeziu tri.

Të hënën nga ora 17:30 është ndeshja për vend të tretë mes Istogut e Besa Famgasit. Finalja mes Llapit e Deçanit është nga ora 19:00.