Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Xhiroja e fundit, parapërgatitje për turneun e Kupës dhe plejof

Me ndeshjen Llapi – Rahoveci fillon xhiroja e 28-të e Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve. Është kjo xhiroja e fundit e stinorit të rregullt.

Llapi e pret Rahovecin të premten (sot) nga ora 19:00. Llapi ka siguruar mbetjen në Superligë, ndërsa një xhiro para fundit renditet i gjashti me 15 pikë. Rahoveci ka 26 fitore e një barazim dhe udhëheq në tabelë me 53 pikë. Prej pozitës së parë edhe do të startojë në plejof. Por para plejofit “vreshtarët” e kanë turneun final të Kupës së Republikës së Kosovës.

Të dielën prej orës 17:00 është ndeshja mes Trepçës dhe Kastriotit. Skuadrës ferizajase i duhet fitorja për të mbetur e dyta. Nuk pritet të ketë telashe për të arkëtuar dy pikë të reja në Mitrovicë.

Kastrioti aktualisht është i dyti me 43 pikë, një më shumë se Besa Famgas e vendit të tretë.

Trepça është e shtata me 12 pikë dhe do të përfundojë në këtë pozitë. Për mbetje në Superligë do të luajë në plejaut.

Ndeshja tjetër e xhiros së 28-të mes Vushtrrisë dhe Besa Famgasit zhvillohet të shtunën nga ora 19:00.

Vushtrria është e pesta me 16 pikë.

Edhe në Ligën e Parë është java e fundit, përkatësisht e 14-të. Ndeshjet e kësaj jave janë: Deçani – Ulpiana, Prizreni – Istogu, Drenica – Vëllaznimi.